Presidenti afgan Hamid Karzai mirëpriti ofertën e Pakistanit për të ndihmuar qeverinë afgane që të arrijë pajtim me militantët talebanë. Gjatë një vizite sot në Islamabad, Karzai tha se Pakistani ka një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur në procesin e pajtimit në Afganistan.
Pas zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden, edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon ka dënuar planet e ndërtimeve të reja izraelite në Jerusalemin Lindor.
Presidenti indonezian, Susilo Bambang Yudhoyono, ka konfirmuar se forcat e sigurisë të vendit kanë vrarë një nga planfikuesit kryesorë të bombave në Bali në vitin 2002.
Junta ushtarake në Birmani ka miratuar një ligj të ri me të cilin udhëheqësja e opozitës Aung San Suu Kyi përjashtohet të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të planifikuara për këtë vit.
Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, i cili po viziton Lindjen e Mesme, thotë se Washingtoni është absolutisht i angazhuar për garantimin e sigurisë së Izraelit. Ai tha se SHBA-ja është e vendosur që të mos e lejojë Iranin të prodhojë armë bërthamore.