Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, thotë se vendet e Gjirit duken se janë të gatshme për të kërkuar që Kina t’i mbështesë sanksionet e reja të Kombeve të Bashkuara kundër Iranit, lidhur me programin e tij bërthamor.
Parlamenti suedez e klasifikoi si gjenocid vrasjen e qindra mijëra armenëve gjatë Luftës së I Botërore në Turqi. Një rezolutë përkatëse është miratuar kundër vullnetit të qeverisë së qendrës së djathtë me 131 vota pro dhe 130 kundër.
Presidenti afgan Hamid Karzai mirëpriti ofertën e Pakistanit për të ndihmuar qeverinë afgane që të arrijë pajtim me militantët talebanë. Gjatë një vizite sot në Islamabad, Karzai tha se Pakistani ka një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur në procesin e pajtimit në Afganistan.
Pas zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden, edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon ka dënuar planet e ndërtimeve të reja izraelite në Jerusalemin Lindor.
Presidenti indonezian, Susilo Bambang Yudhoyono, ka konfirmuar se forcat e sigurisë të vendit kanë vrarë një nga planfikuesit kryesorë të bombave në Bali në vitin 2002.