Tetova e dha përgjigjen: NDRYSHIMI TË VAZHDOJË ME NE, ka shenuar Teuta Arifi ku më poshtë ju sjellim, fjalimin e saj para të pranishmëve:

Mirëmbrëma Tetovë, jam e nderuar që gjendem në mesin tuaj për të shënuar vazhdimin e betejës për Tetovën që e duam!
Tetova ka filluar ndryshimin dhe ky ndryshim duhet të vazhdojë me ne. Këto zgjedhje ne do e votojmë ndryshimin në Tetovë. Do ta votojmë zgjedhjen e problemit me mungesën e ujit për pije, do ta votojmë përmirësimin e kushteve në shkollat tona, do ta votojmë ngritjen e cilësisë në arsim, do ta votojmë rilindjen kulturore të qytetit, do ti votojmë rrugët e rindërtuara, do ta votojmë parkun e qytetit, do ta votojmë komunikacionin më të rregullt, do ta votojmë qytetin më të pastër.
Qytetarë të nderuar, para katër vitesh çdo të tretën natë mbeturinat ndizeshin në mënyrë të organizuar. Ne luftuam për ajër të pastër, ne pastruam Tetovën vazhdimisht, ne luftuam për mbylljen e fabrikës Jugokrom si ndotësi më i madh i rajonit së bashku me qytetarët, ne pastruam deponinë e egër ku për fat të keq dikush për qëllime shumë të ulta, ndezi mbeturinat dy ditë para se të fillonte pastrimi i tyre.
Ne kemi punuar për këtë qytet me ndërgjegje, kemi punuar për ti zgjedhur problemet e këtij qyteti, sepse kanë qenë të shumta. Ne kemi realizuar projekte të suksesshme dhe kemi ndër mend ta bëjmë Tetovën një qytet modern. Hap pas hapi, Tetova do të merr kahjen e duhur të zhvillimit por në fillim le ti zgjedhim problemet mesjetare që i ka pasur ky qytet që me dekada është vet zhvilluar në kahje të gabuar pa asnjë planifikim paraprak.
Njëzet vite uji ka qenë tema kryesore e fushatave të të gjithë kandidatëve për kryetarë të kësaj komune. Kjo temë tani më është fshirë nga listat e premtimeve sepse pjesa më e madhe e këtij problemi u zgjodh. Tani më ka sasi të mjaftueshme të ujit të cilin e sjell gypi kryesor i ujësjellësit në stacionin për pastrim, ndërsa në mandatin e ardhshëm do ta fillojmë projektin për rehabilitimin dhe rinovimin e rrjetit të ujësjellësit brenda qytetit, duke zëvendësuar tubacionet ekzistuese nga azbesti i çimentuar që janë ndërtuar në shekullin e kaluar dhe janë të dëmshme për shëndetin e qytetarëve tanë. Dhe të jemi të qartë që e gjithë kjo nuk do të ndodh brenda një viti por do të fillojë të ndodhë brenda dy viteve të para të mandatit të ardhshëm.
Qytetarë të nderuar, rrjeti I komunikacionit në Tetovë është shumë I dendur dhe hapja e bulevardeve të reja ka qenë prioritet I yni. Por para se të hapim bulevarde neve na është dashur kohë për ti zgjidhur çështjet pronësore-juridike me pronarët e shtëpive që duhet të rrënohen për tu ndërtuar këto bulevarde dhe për ti përgaditur dokumentacionet teknike për realizimin e tyre. Koha është element themelor I nevojshëm sepse projektet kapitale nuk realizohen sa çel e mbyll sytë.
Për të vendosur rend në komunikacion ne zbatojmë parkimin zonal dhe disponojmë me dy parkingje të mbyllura ndërsa I treti është në përgatitje e sipër. Jo që ne nuk duam të kemi më shumë hapësira për parkim, por vetëm këto të trija kishin ngelur në pronësi të komunës sepse tjerat ishin dhënë me koncesion nga udhheqësitë e mëparshme. Ne e dime që Tetova ka nevojë për më shumë parkingje prandaj në planet e reja detale kemi paraparë ndërtimin e garazheve në kate dhe parkingjeve nëntokësore dhe po ashtu punojmë në vendosjen dhe funksionalizimin e linjave të transportit urban.
Qytetarë të dashur, parku I xhamisë së Pashës ishte e vetmja zonë e gjelbër me gjërësinë e duhur për të mundur të cilësohet si park, ne e dime që ky qytet qan për gjelbrim por zona e vetme tjetër e gjelbër me gjërësinë e duhur ishte hapësira përballë qendrës sportive të cilin ne e shndëruam në park ndërsa në planin e ri general urbanistik dhe gjitha planet e reja detale urbanistike që kemi miratuar kemi paraparë zona që janë të parapara për të qenë parqe. Pas përfundimit të rikonstruimit të tërësishëm të rrugës së banjës, trotoareve dhe rrjetit të ndriçimit, kjo zonë do të bëhet qark rekreimi për qytetarët tanë.
Qytetarë të dashur, ne të gjithë duam që Tetova ti ngjajë një qyteti zviceran por qytetet zvicerane kanë pasur rrjete kanalizimi para 100 vitesh ndërsa Tetova permes Ministrisë për ambient jetësor u bë përfituese e IPA programit për rregullimin e rrjetit të kanalizimit dhe trajtimit të ujërave të zeza në vitin 2014.
Qytetarë të nderuar, katër vite më parë morëm mbi vete përgjegjësinë që ne do të jemi ata që do ta ndryshojmë Tetovën sepse Tetova meriton ndryshe. A e ndryshuam Tetovën?! –Po. A janë këta ndryshime të mjaftueshme?-Jo- sepse ndryshimi është proces, energji, kohë dhe përpjekje e vazhdueshme pavarësisht faktorëve dhe rrethanave ku gjendemi.
Transformimi shumëdimensional i një qyteti, veçanërisht një qyteti me specifikat që ka Tetova nuk është një projekt që mund të implementohet për katër vite, por është një vizion për qytetin për realizimin e të cilit duhet të punohet në vazhdimësi, me shumë përgjegjësi dhe shumë përkushtim gjithmonë duke pasur synim interesin publik, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ndodhin ndryshimet në këtë qytet.
Por gjithçka fillon me votën tuaj. Prandaj ju ftoj që me 15 tetor ta votoni ndryshimin , së bashku ne mund ta bëjmë ndryshimin për Tetovën që ne e duam.